Mbahet diskutimi i hapur “Hajde flasim për mundësitë që i kemi në Kamenicë”
Komuna e Kamenicës, në bashkëpunim me National Democratic Institute (NDI) ka mbajtur sot diskutimin e hapur me temën “Hajde flasim për mundësitë që kemi në Kamenicë”.
Ky diskutim ka pasur për qëllim diskutimin e punëve të realizuara deri më tani për sektorin e rinisë, si dhe diskutimin rreth asaj se çfarë do të bëhet në të ardhmen si dhe cilat janë projektet e radhës që do të realizohen.
Në panelin e diskutimit, të pranishëm ishin: Kryetari i Komunës së Kamenicës Kadri Rahimaj, Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport Behar Hyseni, Kryetarja e Këshillit të Veprimit Rinor Lokal Erëblina Haxhiu, koordinatori i Qendrës Rinore “Fanar” Ardian Berisha, si dhe profesoresha Edlira Latifaj-Rexhepaj.
“Është shumë e rëndësishme që idetë të vijnë nga të rinjtë, sepse ata janë vetë e ardhmja. Komuna e Kamenicës ka ndarë edhe fondin e veçantë për rininë, i cili pret ide nga ju për realizim. Është e rëndësishme nëse arrijmë të sfidohemi ne si komunë financiarisht, nga idetë e juaja inovative që mund të vijnë”-ka thënë Kryetari Rahimaj.
“Mbështetja për të rinjtë do të vazhdojë. DKRS përpos që ka subvencionuar klubet sportive dhe OJQ-të, ka hapur edhe thirrje të veçantë për subvencionimin e organizatave rinore”-ka thënë Drejtori i DKRS-së Behar Hyseni.
Ai ka shtuar gjithashtu se mbështjetja e tillë do të vazhdojë edhe më tutje.
“Të rinjtë kamenicas janë aktiv dhe duan të angazhohen, fatmirësisht tashmë kanë edhe mbështetjen e komunës por edhe hapësirën e nevojshme për realizimin e aktiviteteve të tyre”-është shprehur Kryetarja e KVRL-së në Kamenicë, Erëblina Haxhiu.
Kurse koordinatori i Qendrës Rinore “Fanar” Ardian Berisha ka shtuar se do të vazhdojë edhe organizimi i aktiviteteve të ndryshme e lojërave, të cilat dita-ditës janë duke i dhënë frymë ndryshe Kamenicës.
Profesoresha Latifaj ka prezantuar para të pranishmëve iniciativat e ndryshme për lojëra e kuize për fëmijë, të cilat kanë shtuar interesimin e të rinjve dhe nxënësve për të zgjeruar njohuritë e tyre.
Ky aktivitet është mbështetur nga USAID dhe SDC.