Nesër vihet gurthemeli i pikëkalimit kufitar Kapi e Sfircës
Ministria për Dialog njofton se nesër ,më 28 tetor 2016, në ora 11:00, do të vihet gurthemeli i ndërtimit të pikë kalimit të ri kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë Kapi e Sfircës
Në këtë ceremoni do të marrin pjesë, përveç ministres Edita Tahiri edhe përfaqësues tjerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe komunave Kamenicë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Hapja e këtij pikë kalimi të ri kufitar te Kapia është rezultat i marrëveshjes së Brukselit e dakorduar në Bruksel më 21 maj 2015.
Kjo marrëveshje është arritur me kërkesën dhe insistimin e ministres Tahiri pas kërkesës zyrtare të komunave të Kamenicës e Medvegjës, me të cilët ajo është takuar disa herë për këtë qëllim.
Ministrja Tahiri vlerëson se ky është suksesi i radhës së Dialogut të Brukselit dhe e ka vlerësuar si shumë të nevojshëm hapjen e këtij pikë kalimi të ri kufitar që do të lidhë Kamenicën me Medvegjën si një mbështetje të madhe e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shqiptarët të Luginës së Preshevës, të cilët do të përfitojnë si në zhvillim ekonomik, po ashtu në shumë aspekte tjera, ngase ky pikëkalim i ri kufitar do ta shkurtojë udhëtimin e shqiptarëve të Medvegjës për në Kosovë për më shumë se 80 km.
Po ashtu, kjo do ta ndihmojë edhe komunën e Kamenicës që të mos jetë më një zorre qorre, por të vlerësohet si një zhvillim historik nga autoritetet e kësaj komune.