Ka filluar ndërtimi i shtëpisë për të moshuar në Klinë, investim ky mbi gjysmë milion euro

KlinëPostuar: 11:59 / 22.12.2023

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, gjatë ditës së djeshme, bashkë me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Agron Bacaj, dhe bashkëpunëtorë të komunës, kanë bërë inaugurimin e punimeve për fillimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë.

Kryetari Elezaj, lidhur me këtë projekt është shprehur:

“Mirëqenia e të moshuarve pa përkujdesje është dhe duhet të jetë brengë për institucione dhe shoqëri. Ne, me qëllim të rritjes së kujdesit ndaj tyre dhe duke iu përgjigjur nevojave e kërkesave që kemi, sot kemi filluar një projekt shumë të rëndësishëm: ndërtimin e shtëpisë për të moshuar e cila do të jetë strehë e sigurt për të moshuarit pa përkujdesje familjare.

Shtëpia për të moshuar, përveç karakterit rezidencial, do të shërbejë edhe për qëndrim ditor, në të cilën të moshuarit do të kenë hapësira për aktivitete ditore. Ajo do të jetë e pajisur me të gjitha kushtet moderne, edhe me dhoma për kontrolle mjekësore, staf shëndetësor që kujdesen për të moshuar, ashensor, kuzhinë, klima, ndërsa do të akomodojë deri në 40 persona.
Projekti ka vlerë prej 540 000.00 eurosh.”