Dënohet me kusht kryetari i Kllokotit
Gjykata Themelore në Gjilan dënoi sot kryetarin e Kllokotit, Sreçko Spasiq me dhjetë vjet burg me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Spasiq nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale gjatë dy vjetëve të ardhshëm nëse nuk dëshiron që ta kryejë prapa grilave dënimin që iu shqiptua sot.
Spasiq u shpall i pafajshëm për cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës dhe mosekzekutim të vendimeve gjyqësore.
Përveç dënimit me kusht, Spasiq u obligua nga gjykata që pas plotfuqishmërisë së vendimit të paguajë paushallin prej 100 eurove për shpenzimet gjyqësore.
Prokuroria Themelore në Gjilan akuzonte Spasiqin për largim nga puna të Trajan Stojanoviqit dhe Bozhidar Dejanovit. Stojanoviq ishte drejtor në Shkollën Fillore Marko Rajkoviq, ndërsa Dejanov në Shkollën Ekonomiko-Teknike.
Në këtë aktakuzë Kryetari i Kllokotit përveç për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ngarkohej edhe për cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës dhe mosekzekutim të vendimeve gjyqësore.
Sipas aktakuzës, Spasiq largoi nga puna Trajan Stojanoviqin e Bozhidar Dejanovin më 3 shkurt 2014, edhe pse ata kishin kontratë pune deri më 2 shkurt 2015.
Aktakuza e 25 dhjetorit 2015 akuzonte kryetarin e Kllokotit Spasiq se me vetëdije nuk ka zbatuar vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe Gjykatës Themelore në Gjilan-Dega në Viti, në të cilat vendime u kërkua kthimi në punë i dy drejtorëve.
Sreçko Spasiq për akuzat me të cilat ngarkohej, ishte deklaruar i pafajshëm më 7 maj. /Kallxo.com/