Komuna e Lipjanit organizon Panair për Fuqizimin Ekonomik të Gruas në kuadër të aktiviteteve të 8 marsit

LipjanPostuar: 15:00 / 05.03.2024

Grupi i Grave në Lipjan, në kuadër të aktiviteteve të 8 marsit ditës ndërkombëtarë të gruas mbështetur nga Kryetari i Komunës ka organizuar Panair për Fuqizimin Ekonomik të Gruas në hollin e shpellës së Gadimes.

Aktiviteti ka për qëllim avancimin e rolit të gruas në fushën e biznesit dhe njëherësh promovimin e produkteve të prodhuar nga vetë gratë.  

Me këtë rast, Nënkryetari i Komunës së Lipjanit, Diamant Bytyqi ka shprehu rëndësinë e këtij panairi duke theksuar se fuqizimi ekonomik i gruas është një objektiv i rëndësishëm i institucioneve tona lokale për zhvillimin ekonomik.

“Panairi për Fuqizimin Ekonomik të Gruas është një nismë për të inkurajuar dhe për të ndihmuar gratë të zhvillojnë biznese të suksesshme, ne e shohim këtë panair si një platformë ku gratë mund të shfaqin kreativitetin e tyre, të promovojnë produktet e tyre dhe të ndërtojnë rrjetet e tyre në botën e biznesit, prandaj është tejet e rëndësishme fuqizimi ekonomik i grave pasi që vetëm në këtë mënyrë do te kontribuojmë në ngritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë”,  është shprehur nënkryetari Bytyqi.

Nga ana tjetër, kryesuesja e Grupit të Grave në Lipjan, Hyra Bytyqi, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe mbështetësit e këtij panairi për kontributin e tyre në ngritjen e ndërgjegjësimit të nevojës për fuqizimin ekonomik të gruas.

“Me lejoni që fillimisht të falënderoj Kryetarin e Komunës së Lipjanit z. Imri Ahmeti i cili vazhdimisht ka mbështetur iniciativa të cilat gjithmonë kanë pasur për qëllim promovimin e bizneseve të grave por dua ta falënderoj edhe OSBE-en e cila vazhdimisht na mbështete në organizime të tilla”.