400 mijë euro i transferohen Komunës së Mamushës për fermerët e dëmtuar
Komuna e Mamushës ka bërë të ditur se do të pranojë 400 mijë euro nga Ministria e Financave për kompensimin e dëmeve në bujqësi, që ishin shkaktuar nga vërshimet në muajin gusht të këtij viti.
Sipas njoftimit të kësaj komune, informata për shumën e mjeteve të akorduar për këtë qëllim është komunikuar nga niveli qendror.
“Ministria e Financave të Kosovës ka njoftuar se 400 mijë euro do të transferohen në Komunën e Mamushës për t’ua shpërndarë fermerëve të Mamushës, të cilët pësuan dëme të mëdha nga vërshimet”, thuhet në komunikatën e Komunës së vetme me shumicë turke në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.
Kryetari i Mamushës, Abdylhadi Krasniq, përmes një postimi në rrjetet sociale ka pohuar se MF-ja do të transferojë shumën e sipërpërmendur të mjeteve, të cilat do t’u shpërndahen fermerëve të prekur nga vërshimet e muajit gusht.