Nisin hetimet për shpërdorim buxheti ndaj kryetarit të Novobërdës e 15 këshilltarëve
Prokuroria Themelore e Gjilanit ka nisur hetimet ndaj kryetarit të Kuvendit Komunal të Novobërdës dhe ndaj 15 këshilltarëve komunalë, të cilët kishin shfrytëzuar paranë publike për të blerë orë dore për vete.
Madje për këtë ishte shpallur edhe tenderi nga Zyra e prokurimit e kësaj komune në vlerë prej 1 mijë eurosh.
Por prokuroria deklaron se ata janë në proces të grumbullimit të fakteve edhe për blerje të tjera të cilat janë bërë në këtë komunë për qëllime të përftimit personal, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ndërsa, kryetari i Kuvendit Komunal të Novobërdës, Predrag Stojkoviq, por edhe këshilltarët e tjerë komunalë në prononcimet e mëhershme që kishin dhënë për KD-në kishin deklaruar se blerja e orëve nga buxheti publik për ta ishte bërë si shenjë mirënjohjeje për punën që e kishin bërë gjatë mandatit 4- vjeçar.
Mirëpo arsyetimet e tyre për këtë “shoping” nuk i njeh Ligji i menaxhimit të financave publike.
Jetish Maloku, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjilan deklaron se ata kanë nisur hetimet ndaj Kuvendit Komunal të Novobërdës për veprat penale që lidhen me dëmtimin e buxhetit komunal dhe përfitimit dhe se këto hetime do të shtrihen edhe për blerje të tjera, të cilat kanë ndodhur.