Peja shndërron oborret e shkollave në parkingje pa pagesë

PejëPostuar: 10:46 / 21.07.2021

Në qytetin e Pejës çdo vit ka rritje të numrit të automjeteve, por jo edhe aq parkingje të reja publike apo private, që do të zbusnin problemin më të cilin po përballen qytetarët e kësaj komune.

Me ardhjen e mërgimtarëve gjatë sezonit të verës ky problem bëhet edhe më i madh.

Mërgimtari nga Zvicra, Agron Gërvalla, tregon se rrugëve të Pejës është bërë vështirë të lëvizët me makina dhe më vështirë thotë se është të gjendet një vend i lirë për parkim të automjetit.

“Gjatë sezonit kur vijmë ne mërgimtarët ka jashtëzakonisht vështirësim sidomos edhe në hyrje në dalje të qytetit, si për parkingje si për gjitha”, ka deklaruar Gërvalla.

Që Peja ka probleme të mëdha me mungesë të parkingjeve nuk është e panjohur as për Policinë e Pejës.

Ata kanë dalë me një ide për komunën.

“Peja ka mungesë të madhe të parkingjeve dhe nuk i mbulon kapacitetet për këtë sezon verore të gjitha veturave që janë në këtë kohë të muajit të korrikut edhe gushti”, ka thënë Majori Ndue Nikolla, komandant i Stacionit Policor të Pejës.

Për krijimin e hapësirave për parkingje në oborre të shkollave në qytet, është pajtuar edhe komuna.

“Qyteti i Pejës ka nevojë për parkingje, sidomos me ardhjen e mërgimtarëve tonë, që t’ju sigurojmë kushte sa ma të mira për të qëndruar në Pejë, këto katër shkolla që i cekëm më lartë do t'i lejojmë pa pagesë për shfrytëzimin e tyre”, është shprehur Besim Avdimetaj, drejtor i Arsimit.

Me vendimin e kreut të Komunës, sipas drejtorit të Arsimit, për parkingje pa pagesë për mërgimtarë do të shfrytëzohen oborret e shkollave fillore “Ramiz Sadiku” dhe “Dardania”, ai i shkollës së mesme teknike, që gjendet afër shkollës fillore “Ramiz Sadiku” dhe oborri i shkollës së mesme të mjekësisë.

Oborret e këtyre katër shkollave, sipas Avdimetajt, do të jenë në shfrytëzim për parkingje për mërgimtarë deri më 20 gusht.