AAK nuk kandidon për kryetar të Podujevës, këto janë arsyet
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) - Dega në Podujevë ka marrë vendim që mos të kandidojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Podujevë që do të mbahen më 15 mars të këtij viti.
Kështu ka konfirmuar për InfoKomunën kryetarja e AAK në Podujevë, Mrika Thaçi, duke theksuar se ky subjekt politik tashmë ndodhet në procesin e zgjedhjeve të brendshme dhe konsolidimit të saj.
“Ky vendim vjen si rezultat i diskutimeve brenda degës dhe gjithashtu me nivelin qendror të partisë ku Aleanca ndodhet në një proces të brendshëm zgjedhor por edhe në një fazë te rikonsolidimit të saj. Aleanca do përgatitet për zgjedhjet e rregullta lokale ku do të artikuloj vizionin dhe programin e saj para qytetarëve”, ka theksuar Thaçi.
Ndërkaq kandidaturat për kryetar të Podujevës tashmë janë zyrtarizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me kandidatin, Nexhmi Rudari, i cili aktualisht është nënkryetar i Komunës së Podujevës.
Ndërkaq Lëvizja Vetëvendosje do të garojë me Shpejtim Bulliqin, i cili aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe atij i duhet të japë dorëheqje nga ky post nëse arrin të bëhet kryetar i Podujevës.
Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka kandiduar Naim Fetahun në garën për të parin e Podujevës.
Kujtojmë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës do të mbahen më 15 mars 2020 për faktin që ish-kryetari Agim Veliu është zgjedhur ministër i Punëve të Brendshme.
Fushata zgjedhore për të parin e Podujevës do të zgjasë 11 ditë, duke filluar nga 3 deri më 13 mars.
Zgjedhjet e fundit lokale në Podujevë, ishin mbajtur në nëntor të vitit 2017 me fitues Agim Veliu, i cili udhëhiqte me Podujevën, në mandatin e pestë radhazi. Mirëpo, Veliu ka dhënë dorëheqje nga ky post, pasi që u zgjodh Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë Kurti.