Komuna e Podujevës nënshkruan Memorandum Bashkëpunimi me Organizatën TOKA
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi sot ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Organizatën Kosovare për Talent dhe Arsim – Toka, për realizimin e projekteve për edukimin dhe fuqizimin e Rinisë.
Qëllimi i nënshkrimit të memorandumit qëndron në zbatimin e përbashkët të programeve që avancojnë kualitetin e edukimit, vullnetarizimit, aktivizimin qytetar të rinjve dhe fuqizimin e rinisë.
Ndërsa objektivat kryesore janë: Zhvillimi dhe zbatimi i programeve të ndryshme për të stimuluar aktivizimin qytetar, aftësimin dhe fuqizimin e rinisë në Komunën e Podujevës dhe zhvillimi profesional i mësimdhënësve dhe punëtorëve rinor nga Komuna, duke kontribuar në përmirësimin dhe rrjetin e kualitetit të edukimit në shkollat fillore dhe të mesme të Komunës së Podujevës.
Kryetari Bulliqi, u zotua që në emër të komunës do të kryejë detyrat dhe përgjegjësit që derivojnë nga kjo marrëveshje duke mbështetur gjithmonë projektet për të rinjtë e komunës.