Punimet në segmentin e magjistrales Podujevë-Prishtinë kryhen në nëntor

PodujevëPostuar: 14:56 / 07.10.2021

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, së bashku me zëvendësministrin e Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi kanë mbajtur sot konferencë për media në vendpunishten e magjistrales Podujevë-Prishtinë.

Zv-ministri Durmishi tha se sot jemi këtu për të prezantuar raportin e Komisionit te ekspertëve të Ministrisë së Infrastrukturës, me ndryshimet e nevojshme dhe të domosdoshme që janë bërë në projektin për ndërtimin e kësaj rruge.

Në këtë kuadër, Durmishi tha se “Janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për shpronësim, nënkalimet janë zëvendësuar me rrethrrotullime, është ndërtuar muri mbrojtës, janë planifikuar tetë vende për stacione të autobusëve, ka filluar të ndërtohet një urë, e cila nuk ishte e planifikuar dhe sipas kësaj dinamike deri në fund të nëntorit do të përfundojnë të gjitha punimet në këtë segment 4.2 kilometërsh, të gjitha këto brenda kontratës ekzistuese” tha Durmishi.

Ndërsa kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se kjo është njëra prej rrugëve më të ngarkuara, ndaj kërkohet edhe intensifikim i punimeve në mënyrë që ky segment të përfundojë sa më shpejtë.

Kryetari Bulliqi tha se që nga fillimi kjo rrugë ka filluar pa planifikim të duhur dhe për rrjedhojë kanë ndodhur edhe pengesa në realizimin  e projektit, por që tani pret nga Ministria e Infrastrukturës koordinim për punë të suksesshme.

“Unë jam i bindur se Qeveria e Kosovës, bashkë me ministrinë do ti bëjnë kordinimet e nevojshme, në mënyrë që ky projekt të përmbyllet sipas afateve kohore, sepse po shihet edhe sot që kjo është rrugë me ngarkesë dhe shumë e nevojshme për qytetarët.", tha ai. /InfoKomuna/