Kryetari Rama uron 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas

PrishtinëPostuar: 12:08 / 08.03.2024

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka uruar të gjitha gratë dhe vajzat me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ku me këtë rast ka zhvilluar edhe takim me zyrtaret komunale.

Urimi i plotë i kryetarit Rama:

“Të nderuara nëna, motra, vajza dhe gra të dashura, ju që jeni themelet e forta të familjeve dhe kolonat mbajtëse të kombit tonë, ju dërgoj urimet më të përzemërta në këtë ditë të shënuar, 8 Marsin.

Shteti ynë ndërtohet mbi vlerat dhe parimet që ju përfaqësoni; forca, vendosmëria dhe dashuria juaj e bëjnë atë më të fortë dhe më të qëndrueshëm.

Në Prishtinë, ne mbetemi të vendosur për ta bërë realitet këtë vizion. Ne jemi të përkushtuar që t’i përkrahim e t’i fuqizojmë gratë dhe vajzat përmes programeve proaktive dhe politikave parandaluese.

Çka do të thotë kjo konkretisht:

- Po i mbështesim viktimat e dhunës në familje: kemi nda fonde për to, kemi rinovuar strehimore dhe kemi ofruar trajnime profesionale për t'i ndihmuar viktimat e dhunës në familje që ta kthejnë pavarësinë dhe ta jetojnë jetën me dinjitet.
- Po e nxisim shpirtin sipërmarrës: gratë po i fuqizojmë që të bëhen sipërmarrëse të zonja, duke u ofru aftësitë dhe burimet që u nevojiten për të pasë sukses, në qytet e në fshatra.
- Po i japim prioritet shëndetit të grave: duke ofru mamografi falas dhe duke promovu zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit sepse shëndeti i gruas është shtylla më e rëndësishme e mirëqenies mbarësociale.”