Komuna e Shtimes hap thirrjen për ndarjen e 100 bursave për studentët shtimjanë

ShtimePostuar: 12:39 / 17.04.2024

Është shpallur thirrja publike për mbështetje financiare për studentët e Komunës së Shtimes, ku këtë vit do të ndahen 100 bursa për studentë që studiojnë në ndonjë nga fakultetet që ofrohet nga bartësit publik dhe bartësit tjerë të arsimit të lartë në Kosovë dhe jashtë vendit që janë të akredituar për vitin akademik 2023/2024.

Qemajl Aliu, kryetar i Komunës së Shtimes, tha se arsimi është themeli i zhvillimit tonë dhe se beson thellë në fuqinë e potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve. “Kjo është arsyeja që në përpjekje për të inkurajuar arsimimin dhe studimin serioz, kemi vendosur të investojmë pakrahasimisht në arsim duke i dhënë prioritet mbështetjes së atyre që janë baza më e qëndrueshme e progresit tonë. Andaj, me këtë thirrje për bursa, po bëjmë një hap të madh në arsimin lokal për të siguruar që askush nuk mbetet pas për shkak të sfidave financiare”, tha Aliu, duke inkurajuar studentët ekselentë, përfshirë ata që studiojnë jashtë vendit, të aplikojnë dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi unike për të ndjekur ëndrrat e tyre akademike.

“Bashkë, ne mund të ndërtojmë një të ardhme të ndritshme dhe më të suksesshme për të gjithë. Ndarja e 100 bursave për studentët e komunës sonë, është numri më i lartë ndonjëherë që paraqet rritje të 4-fishtë brenda mandatit tonë”, tha Aliu.

Ndërsa, drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Shtimes, Yllka Fejzullahu, tha se rritja e numrit të bursave për studentë po bëhet me qëllim që t'i lehtësojnë mësimet e studentëve dhe xhepin e familjeve të tyre. “ Nuk është vetëm dyfishim i numrit të përfituesve të bursave për studentë, por për vetëm 2 vite qeverisje nga vetëm 24 bursa sa ishin për 20 vite qeverisje, tani kemi marr vendimin, që prek qindra studentë e po kaq familje, pra kemi ndarë 100 bursa”, tha Fejzullahu.

Kriteret për të qenë përfitues i bursës u bë e ditur se janë: Kuadri deficitar në komunën e Shtimes. Suksesi më i mirë i studentit. Gjendja e vështirë sociale. Student i rregullt në ndonjërin nga fakultetet që ofrohet nga bartësit publik dhe bartësit tjerë të arsimit të lartë në Kosovë dhe jashtë vendit që janë të akredituar.

Studentët të cilët janë përfitues të bursës në vitin akademik 2022/2023 nga konkursi paraprak janë të obliguar të riaplikojnë.

Bursat do të ndahen për 10 (dhjetë) muaj dhe shuma do të jetë 500 euro për vitin akademik.

Për më shumë informata, mund ta vizitoni edhe linkun në vijim:
https://kk.rks-gov.net/.../28/2024/04/Konkurs-bursa.pdf