Kryetari Aliu priti në takim zyrtarë nga Agjencia për Informim dhe Privatësi
Agjencia për Informim dhe Privatësi, në vazhdën e takimeve me përfaqësues të institucioneve publike për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale, sot ishin në Komunën e Shtimes, ku u takuan me kryetarin, Qemajl Aliu.
Krenare Sogojeva Dermaku, Komisionere për Informim dhe Privatësi, me këtë rast njoftoi për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve gjatë procesit të ofrimit të shërbimeve nga komunat, saktësisht për respektimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Ndërsa sa i takon publikimit të dokumenteve, si planet e veprimit, dokumente, vendime, dokumente nga Kuvendi i Komunës si dhe dokumente të tjera, Sogojeva-Dermaku, tha se ato kanë një afat të caktuar të publikimit. “Programi i transparencës do të kërkojë nga komunat dhe institucionet publike që të bëjnë publikimin e dokumenteve brenda afatit kohor”, tha Sogojeva Dermaku.
Kryetari Aliu dhe komisioneria Sogojeva-Dermaku, gjithashtu diskutuan edhe për sfidat e zbatimit të qasjes në informata dhe rritjen e llogaridhënies në proceset e tenderimit gjatë zbatimit të kërkesave për qasje në dokumente publike, si një nga mekanzimat e parandalimit të korrupsionit. Me këtë rast kryetari Aliu, u shpreh i gatshëm për çfarëdo bashkëpunimi dhe siguroi një sistem të prokurimit publik transparent, kur është në pyetje zbatimi i ligjit e mbrojtja e qytetarëve, por sipas tij Ligji i Prokurimit duhet të ketë ndryshime për shkak të disa procedurave. “Ligji i prokurimit është në proces të plotësim-ndryshimit dhe ne si komuna do të jemi kontribues në disa ndryshime”, tha Aliu.
Që masat e sigurisë për mbrojtjen e të dhënave personale të jenë proporcionale dhe të mos dëmtojnë qytetarët, u tha se domosdoshmërisht do të ketë trajnim të Zyrtarit për Mbrojtje të të Dhënave Personale nga institucionet që përpunojnë të dhëna personale.
U bë e ditur se takime të tjera, Agjencia për Informim dhe Privatësi do të vazhdojë edhe me përfaqësues të institucioneve të tjera publike.