Mbahet ushtrimi i quajtur “Shtime 24”
Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me FSK-në, sot në Shtime realizuan ushtrimin në tavolinë, me skenar vërshimet “Shtime 24”.
Pjesëmarrës në këtë ushtrim ishin kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, nënkryetari i komunës, Faruk Beqa, nënkolonelë nga FSK-së, drejtorët e drejtorive komunale, zyrtarët komunal, përfaqësues të Policisë së Kosovës, përfaqësues nga Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, përfaqësues nga Kryqi i Kuq i Kosovës-Dega Shtime, përfaqësues nga KRU “Prishtina”, si dhe përfaqësues të tjerë institucional.
Qëllimet kryesore të ushtrimit ishin testimi i politikave, planeve, procedurave dhe marrëveshjeve lokale, për menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera.
Detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve lokale para, gjatë dhe pas fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera. Koordinimi dhe komunikimi ndërinstitucional për menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera, duke u fokusuar në parandalim, gatishmëri, reagim dhe rimëkëmbje, e në rastin konkret, me skenar për vërshimet, si një rrezik që e kërcënon vazhdimisht komunën tonë.
Zëvendësministri Shemsi Syla, tha se duhet të jemi gjithmonë të përgatitur, dhe se një skenar i një vërshimi siç ishte ky sot, ngjason pak a shumë edhe me një skenar lufte, dhe ne si popull nuk duhet të jemi edhe shumë komod për shkak të kërcënimeve që vazhdimisht n’a vijnë nga Serbia, por se jemi mjaft të përgatitur sa i takon çështjes së sigurisë.
Kryetari Aliu, bëri të ditur se do të angazhohen shumë më seriozisht me drejtoritë përkatëse që të shqyrtojnë kapacitetet që kanë si komunë. “Ishte një ditë, apo kohë shumë cilësore. Dua t’i falenderoj të gjithë, e posaqërisht Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në. Ky ushtrim shpalosi fuqitë dhe mangësitë e komunës sonë në menagjimin e fatkeqësive natyrore dhe tani e tutje do të angazhohemi edhe më fuqishëm”, tha Aliu.
Në fund të ushtrimit u mbajt edhe një analizë me çështje të cilat duhet të përmirësohen nëpër komuna.