Po funksionalizohet Qendra e Inovacionit në Komunën e Shtimes, 150 nxënës do të përfitojnë trajnime falas

ShtimePostuar: 18:26 / 22.02.2024

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka njoftuar se, me shumë kënaqësi sot nënshkruan superprojektin me përfaqësuesin e Flutura Academy, Bekim Ahmetaj, që për 9 muaj të plotë 150 nxënës nga klasat e 3 deri të 12-tën do të kenë mundësi të ndjekin kurse të gjuhëve të huaja, programim, robotikë, dizajn grafik, etj.. në Qendrën e Inovacionit në Shtime.

Ndër të tjera, kryetari Aliu ka njoftuar se:

“60 nxënës do të subvencionohen nga Komuna e Shtimes në vlerë 16,200 euro, kurse 90 të tjerë nga Flutura Academy.
Të rinjtë e Komunës tonë do të kenë qasje në trajnime softuerike dhe në këtë mënyrë do t'i avancojnë edhe më shumë shkathtësitë e tyre digjitale e teknologjike.
Së shpejti do të fillojë edhe faza e thirrjes publike për vajzat e djemtë që duan të bëhen pjesë e këtyre trajnimeve falas që ofrohen në Qendrën e Inovacionit dhe kësisoj po e lansojmë një projekt të shkëlqyer për talentët tanë si shenjë e demonstrimit të interesit tonë për ndihmë dhe mbështetje ndaj të rinjve tanë.
E gëzofshin të rinjtë këtë mundësi dhe i inkurajoj ta shfrytëzojnë maksimalisht duke marrë sa më shumë njohuri.”