Mbahet takimi i radhës i Koordinimit Lokal për Siguri në Komunën e Suharekës

SuharekëPostuar: 13:55 / 03.04.2024

Takimi i radhës i koordinimit lokal për siguri që u mbajt sot, nën drejtimin e nënkryetares së Komunës, Mihrije Suka e cila është edhe kryesuese e takimit, kryesisht i është kushtuar hyrjes në fuqi të Ligjit për rregullat e trafikut rrugor.

Fillimisht është folur për aktivitetet dhe punët që janë kryer  dhe janë  publikuar gjatë dy jave të shkuara. Kurse më pastaj u analizua gjendja e sigurisë në Komunë.  Komandanti i Stacionit policor në Suharekë, Afrim Syla, kapiten  pasi e ka vlerësuar situatën të qetë dhe stabile, më pas  ka numëruar rastet që kanë ndodhur gjatë  dy jave duke theksuar se rastet e dhunës në familje kanë rënie, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, për çka i përgëzoj qytetarët për vetëdijesim.

Në këtë takim, kapiteni Sylaj ka bërë të ditur se nga sot fillon zbatimi i  Ligjit për rregullat e trafikut rrugor, i cili parasheh dënime të mëdha për ata që e shkelin Ligjin dhe nuk zbatojnë këto rregulla. Ai ka apeluar tek qytetarët që të kenë kujdes, sepse tolerime nuk guxon të ketë për ata që nuk zbatojnë Ligjin: “Ne gjatë dy jave kemi shqiptuar  618 tiketa dhe shpresoj që ky numër të ketë rënie gjatë ditëve në vijim”  ka thënë Komandanti i Stacionit policor në Suharekë, kapiteni  Afrim Sylaj.