Boks, Nuri Seferi sfidon kampionin e Evropës në shtator
Boksieri shqiptar, Nuri Seferi, do të sfidojë kampionin aktual të Evropës në peshën kruzer, boshnjakun Damir Beljo.
Boksieri shqiptar, Nuri Seferi, do të sfidojë kampionin aktual të Evropës në peshën kruzer, boshnjakun Damir Beljo.
Është vetë 38-vjeçari që e bën të ditur lajmin me anë të një njoftimi në profilin e vet në Facebook.
Të dashur miq, para disa orësh promotori im Erol Xhajlan më konfirmoi për përfundimin e bisedimeve për ndeshjen e radhës që do të jetë kundër kampionit aktual të Evropës, kroatin me nënshtetësi boshnjake, Damir Beljo, shkruan sportisti nga Gostivari.
Dueli që do të zhvillohet në Mostar të Bosnjës më 5 shtator do të jetë i vlefshëm edhe si ndeshje eliminatore për të sfiduar kampionin e botës, Marko Huk, në nëntor.
30-vjeçari Beljo e ka nisur karrierën si profesionist para dy vitesh dhe ka vetëm fitore në 20 përballje të zhvilluara, duke triumfuar 17 herë me nokaut.
Etjen time për tu kthyer me fitore në mënyrë dinjitoze e ndjej çdo ditë e më shumë, dhe me padurim pres sfidën e shtatorit. E pranova me kënaqësinë më të madhe këtë sfidë të vështirë, por besoj shumë se me krenarinë më të madhe do ta kaloj, shprehet Nuri Seferi, i cili në 43 ndeshje numëron 36 fitore (20 KO) dhe 7 humbje (1 KO).