BDI dhe PDSH përplasen për Marrëveshjen e Ohrit
Zyrtarët e dy partive shqiptare në Maqedoni, BDI-së në pushtet edhe PDSH-së në opozitë, kanë shfaqur edhe njëherë dallimet e tyre, që kanë rreth Marrëveshjes së Ohrit.
Zyrtarët e dy partive shqiptare në Maqedoni, BDI-së në pushtet edhe PDSH-së në opozitë, kanë shfaqur edhe njëherë dallimet e tyre, që kanë rreth Marrëveshjes së Ohrit.
Zv.kryeministri Musa Xhaferi, i cili ishte ftuar në Komitetin parlamentar për Marrëdhëniet midis Bashkësive, për të raportuar për zbatimin e dokumentit paqësor, u prit me akuza të ashpra nga deputetët e opozitës.
Bekim Fazliu, nga PDSH-ja, tha se Marrëveshja e Ohrit nuk është vënë në zbatim asnjëherë, pasi BDI-ja me partnerët maqedonas po zbaton marrëveshje të tjera për përfitime personale të zyrtarëve të saj dhe jo për avancimin e interesave kombëtare.
Marrëveshja e BDI-së, që ju i thoni e Ohrit, është një marrëveshje vetëm për 100 funksionarët e BDI-së edhe në dëm të një milion shqiptarëve. Po të ishte realizuar Marrëveshja e vërtetë e Ohrit, ju mendoni se në Maqedoni do të kishte ende ngjarje si ajo e Kumanovës, vrasja e Harun Aliut, rasti i Sopotit apo Monstra? Jo, asnjëherë, tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.
Kritika të shumta në drejtim të BDI-së, për dështimin e Marrëveshjes së Ohrit, lëshoi edhe deputeti tjetër i PDSH-së, Orhan Ibrahimi. Por, zv.kryeministri Musa Xhaferi, duke u përgjigjur ndaj akuzave në drejtim të partisë së tij, tha se askush nuk mund të mohojë punën e BDI-së për avancimin e çështjes kombëtare dhe rezultatet, që solli Marrëveshja e Ohrit për shqiptarët.
Në reagimin e tij, Xhaferi thotë se PDSH-ja, edhe gjatë atyre pak viteve sa ka qenë në pushtet, nuk ka realizuar ndonjë projekt në favor të shqiptarëve, prandaj humb vazhdimisht në zgjedhje.
Ne kemi bërë ndryshime modeste, por ju mbetët duke kritikuar dhe duke vajtuar situatat. Ju jeni parti opozitare, të specializuar për të mbetur në opozitë dhe për të kritikuar. Mos improvizoni, që ju të jeni opozitë e VMRO-DPMNE-së; mos bëni sikur ju luftoni VMRO-DPMNE-në, kur ju keni raporte shumë të mirë me ata, tha Musa Xhaferi, zv.kryeministër i Maqedonisë.
Ndërkohë, pakënaqësi për zvarritjen e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit ka shprehur edhe deputeti i BDI-së, Rafis Aliti. Ai tha se, përgjegjësia për mosimplementimin e plotë të këtij dokumenti, që ndërpreu konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, bie kryesisht mbi partitë maqedonase, por edhe mbi faktorin ndërkombëtar, që nuk ka dhënë kontributin e duhur në këtë drejtim.