Nis organizimi për "Maratonën e Malësisë së Gjakovës"
Kanë filluar përgatitjet e maratonës Maratona e Malësisë së Gjakovës e cila ka për slogan Të vrapojmë për natyrën që është organizim i komunës së Gjakovës dhe Federatave të Atletikës së Kosovës e Shqipërisë.
Maratona e cila pritet të filloj më 15 tetor, dhe të përfundojë të nesërmen(16 tetor) në Bajram Curr, sipas kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, ka për qëllim që të bëhet tradicionale.
Sot e kemi mbajt takimin e përbashkët, takimin e parë në të cilin është prezantuar ideja e Maratonës së Malësisë së Gjakovës, maratonë e cila planifikohet të mbahet më 15 dhe 16 tetor me fillim në qytetin e Gjakovës dhe përfundim në qytetin e Bajram Currit në Republikën e Shqipërisë. Maratona është maratonë ndërkufitare dhe përveç synimit vrapimit dhe synimit të promovimit të zonës, gjithashtu do të ngris interesimin e gjithë atyre që vijnë për të vrapuar, për të parë qytetin e Gjakovës, për të parë malësinë e Gjakovës dhe natyrisht për ët qëndruar dhe për të kaluar natën në Valbonë gjegjësisht në Alpet shqiptare. Ajo çka ne sot synojmë është koordinimin e hapave për organizim sa më të mirë të këtij aktiviteti, aktivitet ky i cili synimin të jetë i përvitshëm çdo të shtunë e të diele të dytë të muajit tetor, tha Kusari-Lila.
Kurse, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se e mira e kësaj maratone është se organizohet nga sportistët dhe jo nga Qeveritë.
Është diçka krejt e veçantë për mua që marr pjesë në këtë tavolinë me plot ide, me plot mendime se si mund të përdorim sportin për një bashkim ndjenjash, një bashkim forcash, një bashkim sentimentesh midis vendeve të kufirit. Është një aktivitet që me siguri do të ketë jehonë të madhe në njerëz dhe ajo që është shumë e rëndësishme është që kësaj radhe nuk janë qeveritë që e promovojnë por janë shpirti amator, shpirti sportiv i qytetarëve shqiptarë kudo që ndodhen. Shpresoj që kjo hap rrugë për një bashkëpunim më të madh të federatave dhe njerëzve të thjeshtë që dëshirojnë të merren me këtë sport shumë të dobishëm për shëndetin e njeriut, tha Minxhozi.
Gjakova Highland Maraton apo Maratona e Malësisë së Gjakovës planifikohet në tri disiplina: Maratonë të plotë 42 km. e 195 metra, gjysmëmaratonë 21 km. dhe stafeta e cila parashihet që 4 persona të vrapojnë shtegun prej 42 km e 192 metra.