Përurohet terreni sportiv në Shkollën Fillore "Emin Duraku"
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, bashkë me përfaqësuesit e Kforit Italian, Kolonelin Giagheddu, kanë përuruar terrenin sportiv në Shkollën Fillore Emin Duraku.
Ky terren sportiv është mundësuar nga bashkëpunimi i Komunës së Gjakovës me Kforin Italian, ku për realizimin e këtij terreni janë investuar gjithsej 9,190 euro nga të cilat 7,903 euro janë dhënë donacion nga Kfori Italian ndërsa Komuna e Gjakovës ka participuar me 1,287 euro.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, është shprehur se ky është terreni i nëntë me radhë që po përfundohet nëpër shkolla të Gjakovës dhe se ky donacion ka qenë më se i nevojshëm për shkollën Emin Duraku duke pasur parasysh që ka munguar një terren i mirëfilltë sportiv për fëmijët e kësaj shkolle. Ajo ka falënderuar Kforin Italian për mbështetjen e dhënë për ndërtimin e terreneve sportive nëpër shkolla të Gjakovës si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm në projekte të komunës në përgjithësi.
Nga ana tjetër, Kolonel Giagheddu është shprehur se është kënaqësi që të kontribuosh për fëmijët duke iu dhënë atyre hapësirën e nevojshme për zhvillim dhe për sport. Kolonel Giagheddu ka theksuar që Kfori Italian do të vazhdoj të kontribuoj aty ku ka nevojë si dhe do të vazhdoj të ketë bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Gjakovës.
Në fund të kësaj ceremonie, nxënësit e shkollës Emin Duraku kishin përgatitur një program të pasur artistik me këngë dhe valle për pjesëmarrësit.
/InfoKomuna/