KN "Besa" krenaria e Malishevës
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtoresha për kulturë, rini dhe sport, Blerta Krasniqi dhe drejtori i arsimit, Avdi Morina, kanë pritur sot kampionët e shumëfishtë të Kosovës, në not, KN Besa, të cilët i kanë uruar me rastin e triumfit në Kupën e Kosovës në Not, ku klubi mori katër nga pesë kupat e mundshme, duke u shpallur kështu edhe fitues të Kupës së Kosovës.
Kryetari Begaj, fillimisht i ka uruar për suksesin e treguar në vazhdimësi gjatë këtij viti dhe viteve të mëparshme. Ju na bëni të ndihemi krenarë me juve dhe ju jeni krenaria e Malishevës, ju ka thënë kryetari Begaj, notarëve të klubit të notit BESA.
Trajneri i ekipit, Adrian Telaku, e ka falënderuar kryetarin Begaj dhe Komunën e Malishevës, për përkrahjen e dhënë në vazhdimësi, si dhe ka treguar edhe për sfidat e klubit, deri në arritjen e suksesit.
Sipas tij, me gjithë kohën e shkurtë të ushtrimeve, pasi nuk disponojnë pishinë të mbyllur, klubi ka arritur suksese të jashtëzakonshme, duke a dalë fitues në të gjitha garat, sikur edhe në Kupën e Kosovës, ku triumfuan bindshëm.
KN Besa, dje në garat e Kupës së Kosovës, ka dalë fitues në kategorinë e juniorëve, kadetëve, pionierëve dhe fillestarëve për meshkuj. Gjatë këtij viti, KN Besa, ishte kampion i Kosovës, në kategorinë e juniorëve, pastaj, fitues i garës tradicionale Esmir Shala, fitues i garës Kupa e Bifurkacionit dhe tani edhe fitues i katër kategorive në garat e Kupës së Kosovës në not, duke bërë klubin më të suksesshëm të notit në vend dhe natyrisht klubin më të suksesshëm nga Malisheva.
Po ashtu rezultatet e mira, nuk kanë munguar as në garat tjera në nivel vendi dhe në nivel kombëtar./InfoKomuna/