'Adem Jashari' është gati për gara evropiane
Stadiumi Adem Jashari është gati për ti pritur dy ndeshjet ndërkombëtare të klubeve kosovare, shkruan sot gazeta Zëri.
Trepça 89 do të luajë në fazën e parë preliminare të Ligës së Kampionëve e FC Prishtina do të jetë pjesë e fazës së parë preliminare të Europa Leagues dhe stadiumi kryesor në Mitrovicë do të jetë vatër e këtyre dy skuadrave.
Ibër Alaj, drejtor në Departamentin e Sportit në Ministrinë e Sportit, konfirmon se stadiumi i plotëson kriteret për garat evropiane për klube.
Stadiumi është i gatshëm për lojë. I plotëson kriteret e kategorisë së dytë edhe në aspektin teknik, edhe në atë funksional është i kompletuar. Trepça 89 dhe FC Prishtina mund të luajnë aty. Punimet janë kryer me kohë, në bazë të premtimeve për 45 ditë, shprehet fillimisht Alaj për Zërin.
UEFA e jep aminin
Edhe UEFA është ndarë e kënaqur me punimet që janë bërë muajin e fundit në stadiumin e qytetit buzë lumit Ibër. Shtëpia e futbollit evropian e ka dhënë aminin për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare në këtë stadium.
Ditë më parë ka qëndruar përfaqësuesi i UEFA-s në Kosovë dhe është ndarë mjaft i kënaqur me punën dhe cilësinë e saj. Ai ka kërkuar raport për punimet e bëra dhe ne e kemi dorëzuar atë. Me këtë rast kemi marrë përgjigje pozitive edhe prej UEFA-s se stadiumi është i gatshëm për lojë, vazhdoi Alaj.
Stadiumi, funksional edhe për Kosovën
Stadiumin Adem Jashari nuk do ta shfrytëzojnë vetëm klubet. Në fakt, ai i plotëson kriteret edhe për zhvillimin e ndeshjeve zyrtare të përfaqësueseve të ndryshme të Kosovës, përpos asaj A të meshkujve.
Mendojmë se stadiumi i plotëson kriteret edhe për kategorinë e tretë. Me këtë rast, aty mund ti zhvillojë ndeshjet miqësore Përfaqësuesja A e Kosovës, ndërsa ndeshjet zyrtare kualifikuese mund ti luajnë Kosova U-21, U-19, U-17, U-15 dhe Përfaqësuesja A e femrave, shpjegon Alaj.
Stadiumi menaxhohet nga FFK-ja
Ministria e Sportit dhe shteti i Kosovës e kanë kryer obligimin e tyre në renovimin e stadiumit. Tash, për tu përkujdesur për të barra i bie Federatës së Futbollit të Kosovës.
Stadiumi tash do të menaxhohet nga Federata e Futbollit. Ajo do të përkujdeset për mirëmbajtjen e objektit dhe për gjëra të tjera, shton drejtori Departamentit të Sportit.
Alaj në fund tregoi se në stadium, pas ndeshjeve ndërkombëtare, do të luajë Trepça e moçme që do të garojë në Ligën e Parë sezonin e ardhshëm, por që aty nuk do të ketë të drejtë të stërvitet klubi mitrovicas.
Siç dihet, në stadiumin Adem Jashari ndeshjet preliminare të Championsit dhe Europa Leagues do ti zhvillojnë pas dy javësh Trepça 89 dhe Prishtina. /Zëri/