Majlinda Kelmendit i ngritet shtatore në vendin e lindjes

PejëPostuar: 11:51 / 28.02.2020

Në qytetin e Pejës është bërë përurimi i shtatores së kampiones olimpike Majlinda Kelmendit. Majlinda është sportistja e vetme e Kosovës me medalje Olimpike. Ajo fitoi të artën në kategorinë -52 kg të xhudos në Lojërat Olimpike RIO 2016.

Kjo statujë e xhudistes kosovare është ndërtuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, ndërsa për lokacionin e saj ishte diskutuar shumë, pasi që trajneri Driton Kuka ishte ankuar pse Komuna e Prishtinës nuk i ka kthyer përgjigje për ta vendosur atë në kryeqytet.

 “Sot është një ditë historike jo vetëm për juve. Ashtu si po e përjetoni ju, unë jam duke e përjetuar edhe dy herë më shumë. Kam shumë emocione, faleminderit shumë që keni ardhur”, tha Kelmendi.

“Besoj se kjo statujë do t’i motivojë shumë fëmijët në Kosovë dhe do t’i bindë që edhe ata mund të arrijnë suksese si unë. Gjithçka që kam arritur, unë kam filluar prej këtij vendi të vogël dhe i kam arritur majat botërore. Faleminderit shumë”.

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, tha se Mjalinda ka dëshmuar se ka motiv për të vazhduar edhe përkundër sfidave.

“Pavarësisht sfidave dhe problemeve që mund të hasin na kanë dëshmuar se mund të rrezohemi, edhe si popull dhe të ringritemi edhe 1 mijë herë nëse është nevoja”.

“Faleminderit që u bërë inspirim i shkollës tënde, nga t’i mësojnë që mos të dorëzohen kurrë. Dëshmove që lotët e tu u kthyen në diamant”.

“Ngritë vendin aty ku ne si politikan nuk mundëm kurrë. Rinia ka qenë shumë hapa para nesh. Ka ardhur koha që edhe institucionet të vijnë në hapin tënd e ta bëjnë krenar vendin”.

Ministrja e Kulturës, Rinise dhe Sportit, Vlora Dumoshi, tha se Majlinda është krenaria e të gjithëve, sidmos të rinjve.

“Sa herë që vijë në pjesë krenohem për punën e tij. Majlinda Kelmendi ti je krenaria jonë. Urime Majlinda dhe të gjitha që po na bëni krenar”.