KB Rahoveci dhe Valentin Spaqi ndërprenë bashkëpunimin
Klubi i basketbollit Rahoveci dhe Valentin Spaqi e kanë ndërprerë bashkëpunimin, pasi nuk është arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës është bërë e ditur përmes një komunikate.
KB Rahoveci dëshiron të informoj opinionin publik se nuk është arritur marrëveshje mes klubit dhe trajnerit Valentin Spaqi, për vazhdimin e bashkëpunimit. Të dyja palët pas diskutimeve janë pajtuar që të mos vazhdojnë kontratën e bashkëpunimit, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
KB Rahoveci në sezonin e ri do të garojë në Superligë, ndërsa një nga më meritorët për hyrjen në elitën e basketbollit kosovar të Vreshtarëve është Valentin Spaqi, për çka kryesia e këtij klubi ka falënderuar atë.
Kryesia e KB Rahoveci, falënderon trajnerin Valentin Spaqi për gjithë punën e tij që ka bërë me klubin e që ka rezultuar edhe më hyrjen në histori, inkuadrimin në Superligë. Roli i trajnerit Spaqi dhe emri i tij në klubin tonë por edhe nga tërë Komuna e Rahovecit do të mbetet i shkruar në histori dhe nuk do të harrohet asnjëherë. Kryesia e klubit Rahoveci i dëshiron suksese të mëtutjeshme kudo që ai vazhdon karrierën e trajnerit në basketboll, thuhet në komunikatë.
KB Rahoveci ka bërë të ditur se është në bisedime me trajnerin e ri që do ta zyrtarizojë në ditët e ardhshme. Ky klub gjithashtu ka kërkuar nga tifozët e saj Vreshtarët që të vazhdojnë përkrahjen pasi janë një faktor kyç për skuadrën.
Rahoveci është në bisedime me trajnerin e ri, i cili do të zyrtarizohet brenda disa ditësh dhe do të marrë drejtimin e skuadrës për përgatitjet për Superligë. Në të njëjtën kohë kryesia është e angazhuar që në skuadër të sjell përforcime të reja të nevojshme në mënyrë që të garojmë në nivelet e klubeve elitare në Kosovë, thotë KB Rahoveci.