200 mijë euro për sallën e sportit dhe fushën e futbollit
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kanë nënshkruar marrëveshje për dy projekte në fushën për Kulturë, Rini dhe Sport, e cila kap shumën e 200.000 €. Bëhet fjalë për sallën e sportit dhe fushën e futbollit.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se MKRS është financues i këtyre projekteve, për sallën sportive e cila është në fazën përfundimtare.
"Në përmbylljen e këtij projekti i cili ka zgjatur më shumë se 9 apo 10 vite dhe ky ka qenë problem i trashëguar dhe jo për faj të komunës dhe ndoshta edhe për neglizhencë të Ministrisë së Kulturës në të kaluarën”, tha ai.
“Në jemi zotuar qe ta përmbyllim këtë projekt me një afat rekord, në mënyrë që qytetarëve të Shtimes dhe sportistëve t’iu dhurojmë këtë objekt të bukur për të zhvilluar lojëra të ndryshme dhe gjithashtu jemi dakorduar të nënshkruajmë edhe një memorandum tjetër, i cili ka të bëjë me fushën e futbollit, i cili është një projekt i përbashkët, të cilin një pjesë do ta financojmë ne Ministria e Kulturës dhe pjesën tjetër komuna e Shtimes”, shtoi Gashi.
Kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli e falënderoi ministrin Gashi për vizitën dhe për këto investime që po bëhen në komunën tonë, gjithashtu tha se bashkëpunimi me ministrin e Kulturës do të vazhdojë edhe në të ardhmen, gjithmonë duke pasur parasysh interesin e qytetarëve të Shtimes. /InfoKomuna/