Numri i pacientëve në mospërputhje me atë të stafit mjekësor në Ferizaj

FerizajPostuar: 13:47 / 17.01.2019

Qendra e Kujdesit Primar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj po përballet me fluks të madh të pacientëve me gjendje gripoze.

Drejtues të saj janë ankuar se teksa numri i pacientëve gjatë një dite ka arritur në 200, nuk ka mjaftueshëm mjekë për t`i trajtuar ata.

Mikreme Demiri – Govori, doktoreshë në Qendrën e Kujdesit Primar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, ka thënë se numri i pacientëve është rritur dy herë më shumë si pasojë e virozëve të stinës, por edhe problemeve të tjera shëndetësore, ndërsa një numër i madh i pacientëve e vizitojnë mjekun pa ndonjë nevojë të mirëfilltë ngase mungon një edukim shëndetësor.

“Pacientët po vijnë me ankesa të ndryshme me viroza, me temperaturë të lartë, me rrjedhje të hundëve, me probleme të ndryshme. Numri i vizitave është shumë i lartë, madje shpeshherë për 12 orë mbi 200 pacientë e frekuentojnë këtë qendër. Temperatura te pacientët 38.5 mund të trajtohet edhe në shtëpi, mirëpo te pacientët mungojnë edukatat shëndetësore, mungojnë emisionet informative rreth edukatës shëndetësore, madje pacientët nga frika vijnë te mjeku”, ka thënë ajo.