Nga një muaj paraburgim falsifikuesve të lejeve për armëmbajtje

Postuar: 13:26 / 20.02.2018

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.R për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Po ashtu, gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit edhe kundër të pandehurit A.R për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe “Mashtrim”.

“Të pandehurve H.R dhe A.R iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji dhe atë duke filluar prej dt.15.02.2018 deri me dt.15.03.2018”, thotë Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve H.R dhe A.R është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për sigurimin e pranisë së tyre në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Të pandehurit dyshohen të kenë falsifikuar leje për armëmbajtje për persona të ndryshëm në shkëmbim të mjeteve monetare duke bërë përfitime të kundërligjshme.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën së Apelit të Kosovës.