Vitia shënon Ditën Botërore të Diabetit

VitiPostuar: 14:40 / 14.11.2019

Komuna e Vitisë, konkretisht Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti, ka shënuar sot Ditën Botërore e Diabetit. Me këtë rast një ekip i QKMF-së, në qendër të qytetit të Vitisë, ka shpërndarë fletushka informative mbi këtë sëmundje si dhe kanë bërë matjen e sheqerit në gjak.

Me këtë rast ekipin i cili po merrej me këtë aktivitet e kanë vizituar Drejtori për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Basri Aliu dhe Drejtoresha e QKMF-së, Vjollca Kadolli – Halili.

Drejtoresha e Kadolli-Halili potencoi se kjo komunë po vazhdon me shënimin e ditëve të ndryshme të shëndetësisë me qëllim që qytetarët vitias të njoftohen rreth sëmundjeve të ndryshme dhe parandalimin e pasojave.

Ajo gjithashtu pati edhe disa këshilla për personat me diabet.

”Këshillojmë pacientet me diabet që të kontrollojnë peshën e tyre, të bëjnë kufizimin e sheqernave të rafinuara si dhe të rrisin konsumin e sasisë së fibrave në dietë dhe të këshillohen me mjekun. Megjithatë në këtë ditë ne kemi hapur edhe një zyre këshillimore në QKMF-në e Vitisë, ku qytetarët që vuajnë nga diabeti do mund të marrin informacione falas mbi trajtimin e duhur ndaj kësaj sëmundje”, u shpreh Drejtoresha Kadolli-Halili.

Përndryshe sipas Federatës Ndërkombëtare të Diabetit rreth 387 milionë njerëz janë të prekur me diabet ku pritet sipas tyre numri i tyre mund të arrijë deri në 600 milionë dhe atë deri në vitin 2035. /InfoKomuna/