Është mbajtur takimi i parë publik me qytetarët e Komunës së Dragashit
Pas prezantimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) 2024-2026 nga Kryetari Xheladini dhe ecurisë së projekteve të investimeve kapitale për vitin 2023 nga drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Qamil Kolloni, qytetarët pjesëmarrës në këtë takim publik patën rastin që të japin vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet e tyre për investime, të cilat do të shqyrtohen nga ekzekutivi për t'u përfshirë në buxhetin e vitit të ardhshëm 2024.
Në këtë takim publik morën pjesë një numër i madh i vajzave dhe grave nga të gjitha lokalitetet e Komunës së Dragashit, të cilat kërkuan që planifikimi buxhetor dhe investimet kapitale për vitin e ardhshëm të orientohen në hapjen e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e përgjithshëm të pozitës së vajzave dhe grave në Komunën e Dragashit.
Kryetari Xheladini, falënderoi të gjithë qytetarët për pjesëmarrje në këtë takim, duke theksuar se propozimet dhe kërkesat e tyre janë të arsyeshme, të realizueshme dhe se të gjitha këto kërkesa mund të futen në buxhetin e vitit të ardhshëm.