Është zhvilluar ceremonia e hapjes së rrugës malore në fshatin Brezne në Komunën e Dragashit
Para ceremonisë së hapjes së rrugës, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, priti në zyrën e tij kreun e Konsullatës së Përgjithshme Turke në Prizren, Celal Dogan, komandantin e Komandës së Këshillit Turk në Kosovë, Recai Yilmaz dhe komandantin e Këshillit Turk - Njësia në Dragash, Hikmet Şevke.
Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin e dyanshëm dhe ecurinë e projekteve të përbashkëta, siç janë hapja dhe trasimi i rrugëve në Bresanë dhe Zlipotok.
Gjithashtu, Kryetari Xheladini i informoi dhe i ftoi për pjesëmarrje në aktivitetet kulturore që po mbahen këto ditë në trevën e Gorës për nder të mërgimtarëve, të cilat po priten jashtëzakonisht mirë nga të gjitha komunitetet.
Në ceremoninë e hapjes së rrugës malore në fshatin Brezne, Kryetari Xheladini i falënderoi për bashkëpunimin të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Turqisë në Kosovë, të cilët po i ndihmojnë në mënyra të ndryshme qytetarët e Komunës sonë. Ai tha se hapja e kësaj rruge është një projekt shumë i rëndësishëm për qytetarët, pasi që do të lehtësojë qasjen në zona malore, do të shërbejë për intervenim më të lehtë në raste të parandalimit të zjarreve të ndryshme në pyje, si dhe për ecje, rekreacion dhe aktivitete të ndryshme sportive.
Të pranishmëve me nga një fjalë rasti iu drejtuan edhe komandanti i Komandës së Këshillit Turk, Recai Yilmaz, Konsulli i Përgjithshëm Turk, Celal Dogan dhe kryetari i fshatit Brezne, Hajri Gashi.
Kryetari Xheladini dhe përfaqësuesi i fshatit Brezne i dhuruan nga një mirënjohje komandantit të Komandës së Këshillit Turk, Recai Yilmaz, për kontributin e dhënë në hapjen e rrugëve të fshatit (Rrugës malore dhe Rrugës te pompa e derivateve).