Komandanti i KFOR-it, Mario Bozzi vizitoi sot Komunën e Dragashit
Fillimisht, Kryetari Xheladini e prezantoi Kolonel Mario Bozzin me një historik të shkurtër gjeografik dhe politik të Komunës së Dragashit.
Gjatë diskutimit u theksuan pengesat dhe vështirësitë me të cilat po përballet Komuna e Dragashit në zhvillimin e potencialeve turistike dhe ekonomike, si pasojë e mungesës së tokës për tërheqjen e investitorëve, kur dihet se më shumë se gjysma e territorit të kësaj komune është e shpallur park nacional.
Kolonel Bozzi shprehu gatishmërinë e tij për t'i ofruar mbështetje Komunës së Dragashit në arsim, në shëndetësi dhe në shërbimin e zjarrëfikësve, e gjithashtu edhe në sigurinë malore, ku janë të gatshëm që të ofrojnë personel trajnues nëpër shkolla dhe institucione të Komunës së Dragashit.
Kryetari Xheladini e falënderoi për vizitën Kolonelin Mario Bozzi dhe e çmoi lart rolin e KFOR-it në sigurinë e përgjithshme të vendit tonë, duke e konsideruar si njërin nga faktorët më të rëndësishëm të sigurisë dhe paqes në Kosovë.
Në fund të takimit Kryetari Xheladini e informoi Kolonel Bozzin se Komuna e Dragashit i ka njoftuar qytetarët për manovrat ushtarake që do t'i zhvillojë KFOR-i gjatë këtyre ditëve në territorin e kësaj komune.