Komuna e Dragashit dhe Ambasada e Japonisë në Prishtinë nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëfinancimi
Projekti për ndërtimin e këtij objekti do të kushtojë 71 mijë euro dhe nga ky projekt do të përfitojnë 5 mijë banorë. Bazuar në Marrëveshjen e nënshkruar, Komuna e Dragashit do bëjë blerjen e 26 kontejnerëve me sasi 1.1 metër kub. Pas përfundimit të projektit të ndërtimit, objekti për grumbullimin e mbeturinave do të jetë pronë e Komunës së Dragashit, ndërsa do t'i kalojë në menaxhim kompanisë "Eco Restelica".
Kryetari Xheladini, ka falënderuar shtetin japonez për mbështetjen e vazhdueshme që po i ofrojnë Komunës së Dragashit, duke theksuar se ky projekt do ta forcojë edhe më shumë bashkëpunimin, për të vazhduar edhe më tutje në realizimin e synimeve ambicioze për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Komunës së Dragashit.
Ai, tha se kjo mbështetje nuk është vetëm sot, pasi që populli japonez ka ofruar donacione të rëndësishme për Komunën tonë, duke përfshirë dhuratën e katër kamionëve për mbledhjen dhe transportin e mbeturinave, bulldozerin për deponinë, një peshore, një pikë grumbullimi për ruajtjen e përkohshme të mbeturinave, si dhe kontejnerët, rregullimi i vendit që është goditur nga orteku në Restelicë etj.