Kryetari Xheladini gjatë një takimi me kategori të ndryshme të grave iu uron festën e 8 Marsit
Në hapjen e këtij takimi, znj.Lindita Kozmaqi Piraj - zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Dragashit, i uroi të gjitha gratë, vajzat, nënat dhe motrat për shënimin e kësaj dite. "Gra nga e gjithë bota jemi sot të gjitha bashkë, për qëllimin e njëjtë, që të jemi të barabarta, me kushte më të favorshme në punë, në shoqëri në përgjithësi, ta ngrisim bashkëpunimin tonë dhe të jemi bashkë dhe më të lidhura njëra me tjetrën", tha znj. Lindita Kozmaqi Piraj para grave të pranishme në këtë takim.
Ndërkaq, Kryetari Xheladini uroi të gjitha zonjat, nënat, motrat, gratë dhe vajzat e komunës sonë dhe u shpreh i privilegjuar që sot iu bashkua shënimit të kësaj dite. "Ju gjithmonë keni qenë shembull i punës dhe sakrificës për një jetë më të mirë për të gjithë ne. Kontributi juaj vërehet kurdo dhe kudo; në luftë, në paqe, në robëri e në liri, në familje dhe në shtëpi, në shkolla dhe institucione. Uroj që zëri juaj të dëgjohet gjithmonë dhe roli juaj në shoqëri, ekonomi, politikë dhe vendimmarrje të fuqizohet çdo ditë e më shumë", ka thënë Kryetari Xheladini.
Pas takimit në Komunën e Dragashit, Kryetari Xheladini së bashku me të gjitha gratë, nënkryetarin Resul Fetahu dhe shefin e Zyrës për Komunitete dhe Kthim, z.Uzair Hamza, vizituan Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas, ku u pritën nga drejtoresha e kësaj qendre, znj.Kadire Tahiraj, pastaj edhe nga kryetari i Komunës së Drenasit, z.Ramiz Lladrovci.
Gjatë kësaj vizite u njohën nga afër me punën dhe artin e krijuar nëpërmjet punimeve të dorës nga gratë anëtare të kësaj qendre, me forcën dhe vullnetin e tyre për punë të cilin e kanë gjetur krahas përjetimeve të së kaluarës.
Kryetari Lladrovci dhe Drejtoresha Tahiraj e çmuan lart vizitën e Kryetarit Xheladini dhe grave nga Komuna e Dragashit.