Kryetari Xheladini priti në takim ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Gudjev
Në këtë takim, u diskutua lidhur me përkrahjen financiare që Republika e Bullgarisë po ofron në realizimin e projekteve të ndryshme për qytetarët e Komunës së Dragashit.
Pas takimit në Zyrën e Kryetarit, përmes një ceremonie simbolike u përuruan renovimi i shkollës fillore dhe këndi i lojërave për fëmijë në fshatin Kërstec, projekte të cilat janë realizuar me mbështetje të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Kosovë. Përveç këtyre projekteve, kjo ambasadë më herët ka ndihmuar edhe në furnizimin me pajisje mjekësore të QMF-së në fshatin Krushevë.
Kryetari Xheladini e falënderoi Ambasadorin Gudjev dhe taksapaguesit bullgarë për mbështetjen e ofruar dhe kërkoi që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai theksoi se Komuna e Dragashit planifikon që t'i realizojë edhe disa projekte të përbashkëta për të gjitha komunitetet që jetojnë në Dragash dhe se shpreson në mbështetjen e institucioneve të shtetit mik të Bullgarisë.