Kryetari Xheladini takoi konsulentin dhe ekspertin ndërkombëtar izraelit, Yehuda Hamovitz
Kryetari Xheladini u shpreh falënderues dhe mirënjohës që një përfaqësues i shtetit të Izraelit për herë të parë viziton komunën e Dragashit. Ai e prezantoi profesorin Hamovitz me një historik shkurtër të Komunës së Dragashit.
Kryetari i Komunës dhe përfaqësuesit e Qeverisë Lokale në Dragash thanë se e mirëpresin çfarëdo investimi nga investitorë të ndryshëm izraelitë të cilët do të ndihmonin në zhvillimin ekonomik të kësaj komune.
Disa nga kërkesat specifike që u theksuan ishin: gjetja e donatorëve për ndërtimin e Fabrikës së ujit, investime në stadiumin e qytetit dhe infrastrukturën përcjellëse, ndërtimi i një biblioteke me standarde evropiane, hapja e fabrikave për prodhimin dhe përpunimin e produkteve të ndryshme të cilat do ta rrisnin punësimin dhe do ta ndalnin ikjen e qytetarëve nga vendi, ndërtimi e qendrave turistike, zhvillimi i turizmit veror dhe dimëror, investime në zhvillimin e një sistemi efikas të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ruajtjes së ambientit, blerja e kamionëve dhe pajisjeve teknike për shërbimin e zjarrfikësve, sigurimi i dy minibusëve për transportin e nxënësve, investime në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë, investime në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, parqe dhe kënde për lojëra të fëmijëve.
Dr.Yehuda Hamovitz shprehu gatishmërinë e tij për të ndihmuar dhe siguruar mbështetjen e shtetit izraelit për Komunën e Dragashit. Ai tha se gjendet këtu me kërkesë të Ambasadës së Kosovës, e cila është e vendosur në Izrael dhe e cila është e interesuar që komuna e Dragashit të ndihmohet nga shteti i Izraelit. Ai theksoi se duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë dhe resurset që ka kjo komunë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe turistik.
Në fund të takimit, ai falënderoi Kryetarin Xheladini dhe kërkoi nga ai që të përgatisë kërkesën e detajuar me të gjitha nevojat që ka komuna jonë, duke përfshirë dhe mjetet financiare që nevojiten.