Kryetari Xheladini viziton KFOR-in Turk në Dragash

DragashPostuar: 22:54 / 15.03.2023

Kryetari Xheladini tha se i jemi falënderues gjithmonë popullit dhe shtetit turk për miqësinë, aleancën dhe përkrahjen që ka treguar për popullin tonë, sikur sot, ashtu edhe në momentet më të vështira historike për ne. Ai tha se dyert e Komunës së Dragashit janë gjithmonë të hapura për ta.

Në këtë takim Kryetari Xheladini shfrytëzoi rastin që përmes Kapitenit Şevke t'ia përcjellë Konsullatës së Përgjithshme Turke në Prizren disa kërkesa konkrete për mbështetje të disa projekteve infrastrukturore në këtë komunë, të cilat lidhen kryesisht me rregullimin e traseve nëpër disa rrugë lokale të fshatrave Brezne, Bresanë, Pllajnik, Zlipotok, Krushevë, Baçkë, Dikancë etj.

Gjithashtu, Kryetari Xheladini e potencoi edhe një herë kërkesën e Komunës së Dragashit, të blegtorëve, bujqve dhe shumë qytetarëve që organizata turke e TIKA-s të rikthehet në komunën tonë. Ai theksoi se ka disa fshatra që kanë probleme me tensionin e ulët të energjisë elektrike dhe se TIKA mund të ndihmojë edhe në këtë drejtim, pasi që edhe më herët kjo organizatë kishte ndihmuar me trafo të energjisë elektrike.

Kërkesë tjetër e kreut të Komunës së Dragashit ishte që përmes KFOR-i Turk t'iu drejtohen përfaqësuesve kompetentë të Turqisë në Kosovë për të ndihmuar në sigurimin e investitorëve për hapjen e një fabrike të akullores nga "Panda" apo "Algida" në Komunën e Dragashit, e cila do të ishte një mundësi e mirë jo vetëm për Kosovën, por edhe për furnizimin e vendeve të rajonit me këto prodhime nga Kosova. Kryetari Xheladini tha se toka për ndërtimin e një fabrike të tillë do të ofrohet për pesë vite nga Komuna dhe do të hiqen të gjitha obligimet tatimore.

Kapiteni Hikmet Şevke e falënderoi Kryetarin Xheladini për vizitën dhe premtoi se do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Konsullatën e Përgjithshme Turke në Prizren dhe me Ambasadën Turke në Kosovë për të gjetur mundësitë që të ndihmojnë në realizimin e këtyre projekteve dhe kërkesave të parashtruara nga kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini.