Kuvendi Komunal në Dragash mbajti seancë solemne për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Kryetari Xheladini në fjalën e tij tha se "Adem Jashari me familjen e tij hapën epokën që çonte drejt triumfit, për t'i treguar botës demokratike se, kur është në pyetje liria dhe pavarësia e shtetit të Kosovës, nuk ka çmim dhe as forcë që mund ta ndalë."
"Çdo gjë që mund të them sot para jush këtu është e pamjaftueshme karshi kësaj ngjarjeje. Prandaj dua të përfundoj duke thënë se atdheu është mbi të gjitha dhe i përjetshëm, kurse Adem Jashari dhe familja e tij janë vetë atdheu. Ta ruajmë dhe ta ndërtojmë atdheun që na e lanë amanet dëshmorët tanë! Lavdi Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij! Lavdi të gjithë të rënëve për liri! Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Zoti e bekoftë Kosovën!", ishin fjalët e Kryetarit Xheladini drejtuar të pranishmëve.
Pas seancës solemne u bënë homazhe në shtatoren e Komandantit Legjendar Adem Jashari, si dhe në Varrezat e Dëshmorëve në Dragash dhe Buqe.
Më pas, Kryetari Xheladini, së bashku me kryesuesin e Kuvendit, asamblistë, zyrtarë komunalë dhe qytetarë, vizituan Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në Prekaz, ku bënë homazhe te varri i Komandantit Legjendar dhe familjarëve të tij që 25 vjet më parë ranë për lirinë e Kosovës.