Mbahet mbledhje me drejtorët e shkollave të Komunës së Dragashit
Në këtë takim u tha se të gjitha shkollat kanë bërë përgatitjet e nevojshme teknike për fillimin me kohë të këtij viti shkollor, me përjashtim të disa shkollave nga komuniteti joshumicë, ku mund të ketë vonesa për shkak se janë duke vazhduar ende punimet e renovimit të objekteve shkollore.
Kryetari Xheladini i uroi të gjithë drejtorët, mësimdhënësit dhe nxënësit për një fillim të mbarë të këtij viti shkollor, duke premtuar se do ta kenë mbështetjen e vazhdueshme të Komunës së Dragashit në çdo drejtim, pasi që arsimi është shtylla kryesore e një shteti. Ai foli para pjesëmarrësve të këtij takimi për investimet që po bëhen dhe do të bëhen nëpër shkollat e Komunës sonë. Gjithashtu, i informoi ata se është siguruar sasia e lëndëve djegëse (dru dhe pelet) për furnizimin e të gjitha shkollave dhe tha se janë bërë të gjitha përgatitjet që nga ky vit shkollor, për të gjithë nxënësit që vijojnë mësimin në Shkollën e Mesme dhe të gjitha shkollat fillore të Komunës së Dragashit, transporti do të jetë 100% falas (të gjitha shpenzimet do t'i mbulojë Komuna).
Kryetari Xheladini kërkoi nga drejtorët e shkollave që të bëhen përgatitjet dhe brenda muajit shtator të zhvillohet edhe një takim për të diskutuar në lidhje me fillimin e organizimit të kuizit të diturisë brenda shkollave dhe në mes të shkollave në nivel komunal. Kuizi i diturisë do të ketë karakter garues dhe për shkollat, nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave fituese do të ketë edhe shpërblime të ndryshme.
Në mbledhjen e kryesuar nga drejtori i DKA-së, Zeni Krasniqi, sa i përket çështjes së furnizimit me tekste mësimore, u theksua që të ketë bashkëpunim më të mirë me prindërit, në mënyrë që t'u ndihmohet atyre edhe me procesin e aplikimit për tekste dhe materiale shkollore në platformën eKosova. Ndërkaq, sa u përket klasave VI-IX, u mor vendim që të formohet një komision i cili do ta konstatojë gjendjen nëpër shkolla, të hulumtojë tekstet dhe materialet e vjetra për të kompensuar mungesën e tyre tek nxënësit të cilët nuk do kenë mundësi që t'i sigurojnë ato.