Seanca e rregullt që zgjati dy ditë e Kuvendit Komunal të Dragashit ka mbyllur punimet sot
Të parapara për diskutim në rend të ditës ishin këto pika:
1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e kaluar,
2. Vendim për bartjen e mjeteve vetanake të pashpenzuara nga viti 2022 në vitin 2023,
3. Raporti i Punës së KKSB-së për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2022,
4. Raporti i Punës së ekzekutivit për vitin 2022 dhe Plani i Punës për vitin 2023, dhe
5. Eventuale.
Me propozimin e asamblistit Shpetim Hajredini, Kuvendi me shumicë votash vendosi që nga pika e katërt e rendit të ditës të shqyrtohet vetëm Raporti i Punës së ekzekutivit, kurse Plani i Punës u shty për diskutim në seancën e radhës.
Në këtë seancë, Raportin e Punës së ekzekutivit fillimisht e prezantoi të përmbledhur kryetari i Komunës së Dragashit, z. Bexhet Xheladini. Pas tij, krerët e drejtorive komunale patën rastin që të raportojnë para asamblistëve dhe t'u përgjigjen pyetjeve dhe kritikave të tyre.
Gjithashtu, për punën e tyre para delegatëve të Kuvendit u përgjigjen edhe shefja e Zyrës për Barazi Gjinore, znj. Lindita Kozmaqi Piraj, dhe shefi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim, z. Uzair Hamza.
Pikat e rendit të ditës: Vendimi për bartjen e mjeteve vetanake të pashpenzuara nga viti 2022 në vitin 2023 dhe Raporti i punës së ekzekutivit për vitin 2022, ishin pikat të cilat nxitën debat të gjatë në mes të asamblistëve dhe përfaqësuesve të ekzekutivit. Raportimi i secilit drejtor për punën e tij, shterimi i të gjitha çështjeve në lidhje me punën e ekzekutivit dhe pyetjet e shumta të asamblistëve bëri që kjo seancë të zgjasë dy ditë dhe ishte seanca më e gjatë në historikun e legjislativit lokal në Komunën e Dragashit.