Njoftim për qytetarë nga Komuna e Ferizajt lidhur me gjendjen e menaxhimit të mbeturinave
Njoftimi i plotë:
Të dashur bashkëqytetarë!
Ditëve të fundit, Komuna e Ferizajt, po përballet me grevën e paligjshme të punonjësve të pastrimit të kompanisë “Pastërtia”, duke bërë që shumë rrugë të qytetit, të mbesin të papastruara si rrjedhojë e grevës, e për të cilën gjatë gjithë kësaj kohe, Komuna e Ferizajt, ka shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit, ka takuar e ka zhvilluar biseda të vazhdueshme me këshillin grevist, me qëllim të tejkalimit të situatës.
Që në ditët e para të grevës, kemi konstatuar se greva e këtij sektori, në vetvete është e paligjshme, duke mos mohuar të drejtën e punonjësve për kushte më të mira të punës, për të cilat edhe jemi angazhuar gjatë gjithë këtyre ditëve. Përkitazi me këtë, siç rëndom ndodh në të tilla raste, në opinion u zgjuan zëra të fjetur kaherë, të etur për pak vëmendje mediatike, duke e shndërruar këtë organizim, në arenë politike, me synimin e qartë, profitet minimale aq sa ambicia e tyre minimaliste politike, duke shkelur në kurriz të trupit të ndjeshëm që përfaqësojnë punonjësit e pastrimit.
Për t’i vënë vulën hipokrizisë politike të vendimmarrësve të mëhershëm e opozitarëve të sotshëm, ku gjithsecili ngarendte për pak publicitet mediatik, duke u shprehur se greva nuk është e paligjshme, sot kemi pranuar Raportin Zyrtar nga Inspektorati i Punës në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që mes tjerash, duke elaboruar veprimet inspektuese konstaton se: “Shoqata Sindikale “Qëndresa” nuk ka vepruar konform dispozitave ligjore të Ligjit për Greva Nr. 03/L-200 dhe plotësim ndryshimit me nr. 04/L-119” konstatim ky që përligj deklarimin e Komunës së Ferizajt, se ky organizim i grevës është i paligjshëm e me pasojë rrezikimin e shëndetit publik.
Sa më sipër, edhe pas kësaj shkrese zyrtare, me pasojë juridike, Komuna nuk është në garë për fitore ndaj grevistëve. Komuna është e interesuar që ta tejkaloj këtë situatë në suazat e ligjit e mundësive të saja buxhetore, për të cilat janë njoftuar detajisht këshilli grevist e ku vlerësojmë se është e panevojshme, kundërproduktive, acaruese madje, përzierja e politikës ditore, duke e bërë këtë temë të ndjeshme, mirëqenien e punonjësve të pastrimit, urë për të kaluar një grusht votash më shumë në mbështetjen e tyre.