Kryetari Gjini mban Debatin e Dytë Publik me qytetarë
Lidhur me këtë debat, kryetari Gjini, ka shkruar:
“Në kuadër të Debatit të rregullt Publik, sot pata një takim të frytshëm dhe tejet përmbajtësor me dhjetëra qytetarë të komunës së Gjakovës.
Përtej një aktiviteti obligativ ligjor, në këtë takim, me qytetarët folëm hapur për projektet e realizuara dhe ato që i kemi në proces dhe në planifikim për të ardhmen.
Ndonëse jemi një komunë që në vazhdimësi kontribuon për shtetin, po vazhdojmë të mbesim të anashkaluar në ndarjen buxhetore. Kjo po na penalizon pak, por asesi nuk mund të na pengojë në zhvillimin e projekteve që për qëllim kryesor kanë bërjen e Gjakovës një qytet më të mirë për të gjithë.
Qytetarëve të mi u listova projektet e realizuara. I garantova ata se komuna do të jetë afër tyre deri në realizimin e të gjitha projekteve, në veçanti atyre infrastrukturore, interesimi për të cilat është më i madh. Thjeshtë nga ta kërkova mirëkuptim për mundësitë dhe kushtet, të cilat megjithatë jemi duke i shfrytëzuar në maksimum.
Siç kam thënë edhe në takime tjera me qytetarët, bashkërisht do ta kthejmë Gjakovën në një qytet model.”