Kryetari Gjini mirëpriti Drejtoreshën e Misionit të USAID-it në Kosovë, Eileen Devitt
Njoftimi i plotë i kryetarit Gjini:
E pata kënaqësinë ta pres në Gjakovë, Drejtoreshën e Misionit të USAID-it në Kosovë Eileen Devitt dhe bashkëpunëtorët e saj.
Gjatë një bisede miqësore, e falënderova Drejtoreshën Devitt për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe USAID për Gjakovën dhe gjithë Kosovën që 25 vite. Që nga përfundimi i luftës, kjo organizatë ka qenë krah nesh, përmes projekteve të shumta dhe të rëndësishme për ne.
Në vitet e fundit, ne po punojmë me USAID përmes projekteve si “Team” përmes të cilit kemi përmirësuar jashtë mase performancën e prokurimit, e cila për momentin është më e mira në Kosovë. Tani, jemi duke punuar në programin e integritetit të komunave i cili do të na ndihmojë në menaxhimin e kontratave, një proces ky jashtëzakonisht i rëndësishëm për komunën tonë.
Ndërkohë, në realizim e sipër kemi projekte të tjera të rëndësishme, siç është përmirësimi i performancës komunale në qeverisje të pronës, kontrata sociale etj.
Në fund, bashkë bëmë një shëtitje në pjesën e vjetër të qytetit të Gjakovës, për të parë nga afër mbështetjen që kemi pasur nga Misioni i USAID-it në Kosovë, për ri-ndërtimin e kësaj pjese.