Kryetari Gjini zhvilloi takim lidhur me gjendjen e trafikut në Komunën e Gjakovës
Lidhur me këtë takim, kryetari Gjini ka shkruar:
“Me zyrtarët policor diskutuam konkretisht për zhvillimin e komunikacionit rrugor me theks të veçantë tek parkimi dhe ndalja e veturave në rrugë dhe trotuare, një dukuri kjo mjaft shqetësuese kohëve të fundit.
Si kryetar komune kërkova nga policia më shumë angazhim të pjesëtarëve të policisë në kontrollimin dhe parandalimin e parkimeve dhe ndaljeve në rrugë dhe trotuare, sidomos në disa pika më problematike në rrugët "Nënë Tereza", "Skënderbeu", "Yll Morina", "Kolë Lleshi" "Bardhyl Çaushi", në sheshin "Agron Rama" në lagjen e Spitalit si dhe në Çarshinë e madhe dhe shumë pika tjera.
Gjatë takimit e falënderova majorin Lumi dhe gjithë pjesëtarët e policisë për punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm dhe u rikujtova faktin se bashkëpunimi në mes të komunës dhe Policisë së Kosovës është në nivelin më të lartë e gjithashtu edhe besimi i komunës dhe qytetarëve në policinë e Kosovës është i pa luhatshëm.”