Mbahet ceremonia përmbyllëse e fushatës vetëdijesuese për mbrojtjen e ambientit “ECO GJAKOVA”
Kjo është një fushatë tashmë tradicionale e cila organizohet përvitshëm nga Komuna e Gjakovës në bashkëpunim më Kompaninë Rajonale të mbeturinave “Çabrati” dhe mbështetur nga organizata Green Art Center, e cila këtë vit theksin e vuri te rëndësia e riciklimit apo ripërdorimit të materialeve (mbeturinave) në ruajtjen e ambientit.
Ceremonia nisi me ndarjen e mirënjohjes Post Mortum për profesorin e ndjerë Ali Muhaxhiri, për punimet e tij unike të punuara nga letra e gazetës.
Mirënjohje u ndanë edhe për të gjithë akterët pjesëmarrës të cilët kontribuan në promovimin e kësaj fushate.
Punën më të madhe dhe kreative në aspektin e promovimit të fushatës e kanë bërë nxënësit e 28 shkollave pjesëmarrëse, ku përgjatë 9 muajve sa ka zgjatur fushata, kanë realizuar punime kreative duke përdorur materiale të ndryshme recikluese.
Përveç mirënjohjeve, për shkollat pjesëmarrëse u dhuruan edhe shpërblime siç janë: kuti të ndihmës së parë, kontejnerë, mjete didaktike etj.