Kuvendi i Gjilanit miraton kërkesën për ndarjen e 160 mijë eurove për shtatoret e Kadri Zekës e Ramiz Cërnicës
Kërkesa mori përkrahjen e 21 asambleistëve prezentë në sallë (LDK, PDK, AAK, Vatra dhe një pjesë e VV-së), ndërkaq opozita bëri vërejtje për mosprezencën e sponsorizuesit të kësaj kërkese.
Kuvendi i Komunës, gjithashtu, ka votuar për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për formimin e Komisionit për ndarjen e bursave për studentë të Gjilanit, plotësim-ndryshimin e vendimit për emërimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të aksionareve në NPL “Stacioni i Autobusëve” Gjilan, sikurse edhe kërkesën e SHIL të UÇK, dega ne Gjilan, për ndarjen e mjeteve financiare.
Në këtë seancë, po ashtu, me 14 vota për është miratuar edhe kërkesa për subvencionimin e regjistrimit të fëmijëve në institucionet parashkollore private në shumën prej 40 eurove, ku kriteri është për prindërit e fëmijëve që s’kanë të ardhura mujore më shumë se 528 euro, të cilën e ka arsyetuar shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu. Paraprakisht, VV dhe PDK ka kërkuar që kjo pikë të shtyhet për seancën e ardhshme për shkak të paqartësisë së sigurimit të buxhetit për këtë çështje.
Ndryshe, raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2022 është shtyrë për seancën e radhës, për shkak të mosprezencës së kryetarit të Komunës.