Përurohet laboratori në QMF në Zhegër

GjilanPostuar: 18:08 / 14.06.2023

Në përurimin e laboratorit ka marrë pjesë edhe kryetari i Komunës, Alban Hyseni, i cili ka thënë se laboratori në Zhegër dhe mamografia në QKMF në Gjilan, është një projekt i përbashkët me organizatën Islamic Relief që po realizohet me bashkëfinancim.  

Kryetari Hyseni tha se qëllim kryesor i qeverisjes komunale është që shërbimet t`i ofrohen sa më afër qytetarit.

“Synimi ynë final edhe në fushën e shëndetësisë, është që në qendrat e mëdha, aty ku gravitojnë edhe fshatrat tjera për rreth, si në Zhegër, t`i ofrojmë këto laboratore dhe t`i rrisnim shërbimet për qytetarë”.

Për më tepër, ai theksoi se shërbimet më afër shtëpisë, janë më efikase dhe kushtojnë më lirë për qytetarin.

“Në shumicën e rasteve, Qendrën Kryesore e kemi të mbingarkuar nga shërbimet, sepse kur qytetari vjen këtu i kërkohen analiza, për çka duhet të shkojë në qytet dhe atje nis prej gjithçka prej fillimit, prandaj në këtë formë mundësojmë që edhe kontrollin fillestar, edhe analizat e gjakut, por edhe shërbimet tjera të kryhen në një vend, afër shtëpisë e me sa më pak shpenzime e me sa më shumë efikasitet për banorët”, ka thënë kryetari Hyseni.

Vlera e laboratorit është 39.600 euro.    

Përndryshe, me këtë donator po realizohet edhe projekti i ujit të pijes për katër fshatra si dhe një projekt në fushën e bujqësisë.