Përurohet monumenti “UÇK” tek kompleksi i varrezave të dëshmorëve në Gjilan
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqiri, tha se po përkujtojnë 25-vjetorin e Betejës së Zhegocit me një monument të madh për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një simbol i luftës për liri dhe pavarësi.
Sipas tij, ky monument, i vendosur në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Gjilan, shënon një moment të rëndësishëm për historinë e Kosovës dhe rezistencën e saj kundër dhunës së regjimit serb.
"Në këtë ditë rikujtojmë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është simbol i një rezistence të palëkundur për liri dhe pavarësi. Lufta e tyre është një histori e sakrificës sublime për të drejtat dhe vlerat e popullit të Kosovës. Luftëtarët e UÇK-së nuk u tronditën nga sfidat e pamëshirshme dhe vazhduan përpara me guxim dhe vendosmëri, duke lënë pas tyre një trashëgimi të idealizmit dhe përkushtimit ndaj lirisë", tha Kushtrim Zeqiri.
Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, shtoi se ata e morën armën në dorë për të përballuar shtypjen dhe dhunën që i bëhej popullit të tonë. Pavarësisht rreziqeve të mëdha dhe sakrificave personale, ata vazhduan të luftonin me guxim dhe përulësi, duke refuzuar të dorëzoheshin para shtypjes dhe padrejtesise. Lufta e tyre ishte një kryqëzim i vlerave të guximit, dinjitetit dhe pavarësisë.
Ai më tej theksoi se me këtë monument, ndihen krenar, pasi që në qiellin e hapur të Kosovës, kjo simbolik do të lulëzoj përjetësisht përballë historisë së përjetshme të Kosovës, kjo është një shenjë e qartë e vendosmërisë së popullit për liri dhe pavarësi.
"Ky inaugurim është shenjë e një përkujdesje të vazhdueshme për dëshmorët dhe luftën e tyre për liri. Ky monument gjithashtu përforcon një ndjenjë përgjegjësie ndaj brezave të ardhshëm për të ruajtur dhe për t'u përkujdesur për trashëgiminë e tyre të fituar me aq sakrifica dhe vetëmohim", tha drejtori Zeqiri.
Sipas tij, kjo ngjarje thekson rëndësinë e kujtesës dhe respektit për ata që dhanë jetën për vendin tonë. Ky monument gjithashtu bën thirrje për një angazhim të vazhdueshëm për vlerat e lirisë dhe demokracisë, për të cilat ata luftuan dhe sakrifikuan.
"Lavdi të rënëve për paqe, liri e pavarësi.
Nderime përjetësisht", tha drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport.
Ndërsa ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, tha se duke kujtuar ngjarjen e madhe të UÇK-së – Betejës së Zhegocit – vendosim që me shkronjat e arta të UÇK-së, simbolit me të cilin luftuan luftëtarët e lirisë, ta bëjnë nisjen e një inaugurimi të Portës së Heronjëve, e cila do të jetë hyrje për kompleksin e këtushëm memorial.