Policia dhe sektori i pyjeve në Gjilan, në aksion për parandalimin e prerjeve ilegale të pyjeve

GjilanPostuar: 17:21 / 28.08.2023

Postimi i plotë nga Komuna e Gjilanit:

Falë bashkëpunimit të mirë me Komandantin e Stacionit Policor në Gjilan, Major Agim Lipovica dhe Drejtorit të Bujqësisë dhe Pylltarisë, Bajram Isufi, përkatësisht Sektorit të Pylltarisë në Gjilan, është ndërmarrë aksioni për parandalimin e prerjeve ilegale të pyjeve.

Pasi gradualisht po afrohet stina e dimrit, shumë persona recidivistë, prerës ilegal në mënyrë të pa ndërgjegjshme me qëllim të përfitimit individual angazhohen në prerje ilegale të pyjeve shtetërore dhe private.

Për këtë arsye, Drejtoria e Bujqësisë – Sektori i Pylltarisë ka filluar aksionin me asistencën e policisë së Kosovës për kapjen e prerësve ilegalë.

Në këtë aksion janë ndaluar mbi 120 kamioneta e traktorë  të cilat kanë qenë të pajisura me dokumentacionin të rregullt për prerje legale dhe të kontrolluar.

Gjatë aksionit, që nga orët e hershme të mëngjesit, deri te orët e vona të mbrëmjes, policia dhe pylltarët kanë hasur në prerës ilegalë me ç`rast janë konfiskuar një masë e konsiderueshme e masës drusore si dhe do të bëhen edhe fletëparaqitje për kundërvajtje dhe vepra penale.

Njësia e Pylltarisë këtë vit ka pranuar mbi 450 kërkesa për prerje legale të druve në pronësi private, si rezultat i ngritjes së vetëdijes tek qytetarët se vetëm me leje adekuate dhe të kontrolluar mund të pajisen me masën drusore.

Gjatë kontrolleve rutine ekipet në teren kanë hasur edhe kamionetë dhe automjete të tipit ‘pikap’ të ndryshme të pa regjistruara ku janë marrë masat ndëshkimore, deri te konfiskimi i automjeteve.

Gjatë aksionit janë kontrolluar edhe pikat legale të shitjes së masës drusore ku është verifikuar edhe dokumentacioni përcjellës, drutë e damkosura dhe ato të pa damkosura.

Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, në koordinim me Policinë e Kosovës kanë rënë dakord për ndërmarrjen e aksioneve më të shpeshta për parandalimin e prerjeve ilegale.

Gjithashtu luten qytetarët për bashkëpunim me këto dy institucione, duke i paraqitur rastet e prerjes ilegale të pyjeve.