Bëhet zbulimi i bustit të Shotë Galicës në shkollën “Shotë Galica” në fshatin Abri e Epërme të Komunës së Drenasit
Shkolla, nga sot, do të jetë më e bukur, do të jetë më e ndriçuar se kurrë, sepse, në atdheun e lirë, nderohet jeta dhe vepra e heroinës së kombit këtu, në Abri të Drenasit, ka deklaruar Lladrovci.
Postimi i plotë:
Sot, me rastin e ditëlindjes së heroinës së kombit Shotë Galica, në prani të pjesëtarëve të familjeve të dëshmorëve, të drejtuesve lokalë, mysafirëve, prindërve e nxënësve, e zbuluam bustin e heroinës së kombit, Shotë Galica, në shkollën që me krenari bart emrin e saj.
Qerime Radisheva, apo Shotë Galica, ishte në krye të detyrës, në ballë të çetës krah heroit të kombit, Azem Galicës, në vijën e frontit kundër bishave serbe që torturonin shqiptarët. Ajo ishte domosdo e rezistencës, për mbijetesën tonë kombëtare, për të lënë gjurmë në histori për 40 betejat e saj, në luftën e paepur kundër okupatorit të ri.
Sot, me ne nuk janë fizikisht heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi të cilët padrejtësisht mbahen larg familjeve dhe Kosovës. Presim të kthehen fitimtar, si çdo herë.
Shkolla, nga sot, do të jetë më e bukur, do të jetë më e ndriçuar se kurrë, sepse, në atdheun e lirë, nderohet jeta dhe vepra e heroinës së kombit këtu, në Abri të Drenasit.
Pasuria dhe gëzimi ynë më i madh, janë fëmijët, janë nxënësit tanë. Ata, do ta kenë këtu pranë, heroinën që do të flas dhe dëshmojë për historinë se liria është më e vlefshme se jeta.
Këtu, fëmijët tanë do të vazhdojnë të mësojnë se pa luftën heroike të UÇK-së, Kosova kurrë nuk do të çlirohej!
Nxënësit tanë, do të mësojnë se pas fitores së UÇK-së me përkrahjen e aleatëve, po e ndërtojmë shtetin, Republikën e Kosovës, krah vendeve demokratike dhe vlerave euro-atlantike. Gjithmonë të vetëdijshëm, ku ishim dje, ku jemi e nga po shkojmë.
Falënderoj skulptorin Ylber Krasniqi, i cili e dhuroi këtë bust të heroinës tonë, për shkollën “Shotë Galica”. Kush e harron historinë, është i gjykuar për ta përsëritur atë!